Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të hënën gjatë një vizite në Izrael se Uashingtoni do t’i ofrojë aleatit të tij “mbështetje të palëkundur” në luftën e tij në Rripin e Gazës, si dhe kërkoi eliminimin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Populli i Gazës meriton të ardhme më të mirë, por ajo nuk mund të fillojë pa u eliminuar Hamasi”, tha Rubio para gazetarëve, duke folur përkrah kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Ju mund të llogarisni në mbështetjen dhe përkushtimin tonë të palëkundur për ta çuar deri në fund këtë qëllim”, shtoi ai.
Netanyahu e quajti vizitën e Rubios “mesazh të qartë” se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Izraelit, duke e lavdëruar presidentin, Donald Trump, si “mikun më të madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë”.
Rubio kritikoi planet e disa vendeve perëndimore për ta njohur shtetin palestinez, duke thënë se një gjë e tillë vetëm “e inkurajon” Hamasin.
Sekretari amerikan tha se do të diskutojë me Netanyahun planet izraelite për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës – qendra më e madhe urbane e territorit – si dhe bisedimet për aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor të pushtuar, për ta pamundësuar krijimin e një shteti palestinez.
Ai shtoi se presidenti Trump dëshiron që lufta në Gazë të “përfundojë” – gjë që, sipas Rubios, nënkupton lirimin e pengjeve dhe eliminimin e Hamasit si kërcënim.
Lufta nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, ku u vranë 1.219 persona, shumica civilë.
Kundërpërgjigjja ushtarake e Izraelit në Gazë ka lënë të vrarë mbi 64.800 persona, gjithashtu kryesisht civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.
Presidenti Trump, për vite mbështetës i fortë i Netanyahut, ka shprehur edhe përkrahje për Katarin, ku ndodhet baza më e madhe ajrore amerikane në rajon.
Katari, bashkë me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, ka udhëhequr përpjekjet për ndërmjetësim mes Izraelit dhe Hamasit.