MILLATOVIQ: REFUZIMI PËR TË SHQYRTUAR KANDIDATURËN E VUQINIQ ËSHTË NJË AKT I PAPËRGJEGJSHËM DHE FRIKACAK

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e ka cilësuar si të papërgjegjshme dhe frikacak vendimin e shumicës parlamentare për të mos shqyrtuar sot propozimin për emërimin e Mirjana Vuçiniq si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.

Në një konferencë për shtyp, Millatoviq reagoi pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku nuk u miratua rendi i ditës dhe për pasojë nuk u diskutua fare për kandidaturën e Vuçiniq.

“Po jemi dëshmitarë të përpjekjeve për diskreditimin e Mirjana Vuçiniq në një mënyrë që i ngjan metodave të vitit 1948 dhe Informbyrosë”, deklaroi Millatoviq.

Ai theksoi se Kuvendi ka dështuar të tregojë përgjegjësi shtetërore, duke paralajmëruar pasoja serioze për sistemin kushtetues të vendit.

“Sot po shohim mungesë të plotë të përgjegjësisë shtetërore dhe frikë politike. E thirrëm këtë seancë për shkak të bllokadës së zgjatur në zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese – një bllokadë që po e çon këtë institucion drejt kolapsit”, tha presidenti.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese aktualisht funksionon vetëm me katër gjyqtarë, dhe deri në fund të vitit një tjetër gjyqtare do të përfundojë mandati,  çka do ta paralizonte plotësisht këtë institucion.

“Ka komuna ku nuk mund të zhvillohen proceset zgjedhore për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese”, paralajmëroi ai.

Millatoviq përfundoi duke thënë se ky veprim i shumicës parlamentare dëmton drejtpërdrejt reputacionin dhe kredibilitetin e Kuvendit të Malit të Zi.

SHARE