I NXEHTI DHE PËRMBYTJET, 43 MILIARDË EURO DËME NË BE

Fenomenet ekstreme natyrore të sezonit veror që lamë pas sollën një peshë të rëndë në ekonominë e vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas një studimi nga ekspertë të Universitetit të Manhajmit në Gjermani dhe Bankës Qendrore Europiane, dëmet e shkaktuara nga vala e të nxehtit, thatësira dhe përmbytjet përllogariten në total në 43 miliardë euro.

Shifra e dëmeve vjetore mund të trefishohet deri në vitin 2029, nëse nuk merren masa dhe ecet me këto ritme të ngrohjes globale.

Më të goditurit ishin vendet e Mesdheut Lindor: Qipro, Greqia, Malta dhe Bullgaria, secila me humbje mbi 1% të aktivitetit ekonomik. Pas tyre renditen Spanja, Italia dhe Portugalia.

Ekspertët thonë se shifra është minimale, pasi nuk janë llogaritur dëmet nga zjarret me shtrirje rekord në vendet e jugut të unionit. Ekonomistë të pavarur theksuan se kosto të fshehura si prishja e zinxhirit të furnizimit me mallra, që shkaktohet nga këto fenomene, mund të shtojë kostot e dëmeve deri në 30%.

Nga fenomenet ekstreme të motit dhe zjarret, këtë verë u prek ndjeshëm edhe Shqipëria.

SHARE