DËSHTON VOTIMI PËR EMËRIMIN E MIRJANA VUÇINIQ NË GJYKATËN KUSHTETUESE TË MALIT TË ZI

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Malit të Zi, e thirrur për të shqyrtuar propozimin për emërimin e Mirjana Vuçiniq si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, është mbyllur pa përkrahje të mjaftueshme nga deputetët.  

Në seancën e sotme kanë marrë pjesë 59 deputetë, prej të cilëve vetëm 21 votuan pro rendit të ditës, ndërsa 38 abstenuan.

Asnjë deputet nuk ishte kundër.

Meqë nuk u miratua rendi i ditës, nënkryetarja e Kuvendit, Zdenka Popoviq, shpalli përfundimin e mbledhjes.

“Duke qenë se rendi i ditës nuk është miratuar, seanca e katërt e jashtëzakonshme përfundon”, tha Popoviq.

Kjo mbledhje ishte thirrur me kërkesë të presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili i kishte propozuar Kuvendit që Mirjana Vuçiniq, juriste e njohur dhe avokate me përvojë, të zgjidhej gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.

“Bazuar në dokumentacionin që dëshmon përmbushjen e kushteve ligjore dhe në rezultatet e intervistave me kandidatët, presidenti Millatoviq vendosi që Kuvendit t’i propozojë Mirjana Vuçiniq si kandidate për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën nga Kabineti i Presidentit.

Nga Kabineti presidencial theksuan se thirrja e seancës ishte një përgjigje institucionale ndaj krizës kushtetuese që zgjat prej muajsh, dhe një thirrje për deputetët që të marrin përgjegjësinë për ruajtjen e funksionalitetit të shtetit të së drejtës.

SHARE