DELEGACIONI I PARLAMENTIT EVROPIAN VIZITON MALIN E ZI PËR TË MBIKËQYRUR PËRDORIMIN E FONDEVE TË BE-së

Foto: Ilustrim

Një delegacion i Komitetit për Kontrollin Buxhetor të Parlamentit Evropian do të vizitojë Malin e Zi të martën, më 16 shtator, me qëllim vlerësimin e zbatimit të Planit për Reforma dhe Rritje në kuadër të Fondit për Rritjen e Ballkanit Perëndimor.

Në prag të kësaj vizite, kryetari i Komitetit, Niklas Herbst, deklaroi për Televizionin e Malit të Zi se misioni i tyre është të sigurojnë që paratë e taksapaguesve evropianë po shpenzohen në mënyrë të drejtë dhe transparente.

“Do ta shqyrtojmë me kujdes Fondin për Rritjen e Ballkanit Perëndimor, i cili përfshin 6 miliardë euro në formë grantesh dhe kredish. Filloi të zbatohet vitin e kaluar, dhe ne do të shikojmë veçanërisht sistemin e auditimit dhe mekanizmat kundër mashtrimeve, që për ne janë jashtëzakonisht të rëndësishëm”, tha Herbst.

Ai kujtoi se Mali i Zi ka përfituar deri tani 38 milionë euro nga ky fond, dhe vizita do të përqendrohet në efikasitetin e shpenzimit të këtyre mjeteve, si dhe në përmirësimin e mekanizmave të kontrollit.

Delegacioni do të zhvillojë takime me:

  • Përfaqësues të Kuvendit të Malit të Zi
  • Ministrin e Financave
  • Prokurorin e Përgjithshëm të Shtetit
  • Institucionin Shtetëror të Auditimit – të cilin Herbst e quajti kyç në punën në terren.

“Nuk vizitojmë vetëm vendet kandidate, por edhe shtete anëtare të BE-së, për të parë nga afër si funksionon modeli i financimit të bazuar në performancë”, shtoi ai.

Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe mashtrimeve është pjesë thelbësore e misionit të tyre:

“Detyra jonë nuk është të vlerësojmë reformat politike, por të fokusohemi në auditim, integritetin e sistemit financiar dhe kontrollin kundër abuzimeve me fondet. Synimi është që çdo euro e taksapaguesve evropianë të përdoret me mençuri dhe efikasitet.”

Pas Malit të Zi, delegacioni do të vizitojë edhe Shqipërinë, ku do të kryejë vlerësime të ngjashme.

SHARE