Mali i Zi ka nevojë për një strategji të re të rritjes së qëndrueshme të bazuar në produktivitetin dhe fuqizimin e burimeve njerëzore, duke ruajtur burimet natyrore, tha nënkryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Pavle D. Radovanoviq.
Ai këtë e tha gjatë pjesëmarrjes në punimet e forumit dyditor të biznesit rajonal në Beograd, gjatë të cilit u diskutuan perspektivat ekonomike dhe politike, sfidat dhe aktualiteti në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030 dhe më gjerë.
Gjatë prezantimit të tij, Radovanoviq vuri në dukje nevojën që qeveritë rajonale të gjejnë ekuilibrin e duhur ndërmjet mbështetjes së ekonomisë, mundësimit të rritjes së qëndrueshme dhe mbajtjes së përgjegjësisë fiskale në të njëjtën kohë.
“Parakusht për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor është stabiliteti politik dhe profesionalizimi i administratës publike. Kjo është një sfidë jashtëzakonisht kërkuese, nëse shikojmë realisht kushtet politike në rajon. Është e nevojshme të forcohen institucionet publike dhe të forcohet sundimi i ligjit për të nxitur rritjen ekonomike”, tha Radovanoviq.
“Zbatimi jo konsistent i ligjeve dhe rregulloreve të tjera, si dhe niveli i lartë i ekonomisë joformale, paraqesin sfida për zhvillimin ekonomik dhe pengojnë integrimin në BE”, përfundoi nënkryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi.