Komisioni legjislativ ka mbështetur sot me shumicë votash ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, sipas të cilit maksimumi dy nënkryetarë të Kuvendit mund të jenë nga partitë e pakicës.
Propozimin për ndryshime në Rregullore e kanë dorëzuar një grup deputetësh të shumicës parlamentare dhe deputetët do ta diskutojnë nesër, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Deputeti i Lëvizjes „Evropa Tani“, Vasilije Çarapiq, tha se ka një marrëveshje brenda shumicës parlamentare.
Ai, siç raporton portali „Vijesti“, ka thënë se kjo tregon forcën e mazhorancës parlamentare, e cila ka gati dy të tretat e mbështetjes “të cilën askush nuk e ka pasur më parë”.
“Dhe ne duam ta zbatojmë atë forcë dhe të dërgojmë një mesazh se jemi këtu për gjëra të mëdha”, tha Çarapiq në përgjigje të pyetjes së Oskar Huter, deputet i Partisë Demokratike të Socialistëve, pse maksimumi dy nënkryetarë, e jo katër.
Huttr tha se është e qartë për të gjithë se kjo është një shitje e zakonshme e kolltuqeve, në mënyrë që “të gjithë në atë tren të gjejnë një vend për t’u ulur”.
Deri më tani, partitë e pakicave kanë pasur një vend nënkryetar në Kuvend. Në propozimin për ndryshime në Rregullore thuhet se ato mund të justifikohen ligjërisht me nevojën për sigurimin e të drejtave të barabarta, promovimin e parimeve demokratike dhe harmonizimin me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Nëse në Kuvend miratohen ndryshimet në Rregullore dhe propozimi për ndryshimin e vendimit për numrin e nënkryetarëve, mbledhja aktuale e parlamentit do të kishte pesë, në vend të katër pozitave të përcaktuara nënkryetarë.