KATASTROFA AMBIENTALE: ATHINA HUMBI 37% TË PYJEVE NGA ZJARRI PËR 8 VJET

Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile ka filluar vlerësimin e dëmeve në ndërtesat dhe bizneset e prekura nga zjarri në verilindje të Atikës.

Vlerësimi i detajuar i zonave të djegura në 11-12 gusht  tregoi se u dogjën gjithsej 10.500 hektarë tokë, sipërfaqe të përziera pyjore dhe urbane.

Zjarri i ri katastrofik që goditi rajonin më të dendur të populluar të vendit krijon makth për të ardhmen e Atikës, pasi, brenda tetë viteve, rajoni ka humbur 37% të pyjeve të tij nga zjarret ose më shumë se 70,000 hektarë.

Sipas një harte të publikuar nga Observatori Kombëtar i Athinës 60% e zonave që u dogjën në zjarrin e këtyre dy ditëve në periferinë e Atikës verilindore, ishin djegur sërish në vitin 2009 , fakt që e bën të dukshme barrën e ekosistemit me parashikime ogurzeza për rigjenerimin natyror të peizazhit në të ardhmen.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis që ka vizituar një bazë ajrore në Elefsinë për të falënderuar zjarrfikësit që luftuan me flakët ,ka premtuar se të paktën për tre vitet e ardhshme vendi do të ketë pajisje të reja  zjarrfikëse nga ajri.

“Gjithmonë përpiqemi të përmirësohemi. Nuk duhet te presim që zgjidhja të vijë vetëm nga ajri. Duhet të bëhet një punë shumë e rëndësishme në fushën e parandalimit. Mendoj se kemi vënë disa themele në këtë drejtim dhe kjo është një përpjekje kolektive.”– Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.

Greqia ka nënshkruar prej marsit të kaluar kontrata përkatëse për blejren e avionëve të rinj zjarrfikës të tipit Canadair 515 , pasi linja e vjetër nuk prodhohet më.

Ndërsa vazhdojnë kritikat për shkak se nga Fondi i Rimëkëmbjes për parandalimin e zjarreve qeveria greke ka shfrytëyuar vetëm 1% të buxhetit përkatës , sistemi evropian i informacionit për zjarret në pyje ka paraqitur me një video përkatëse edhe afatin kohor të fatkeqësisë nga fillimi i zjarrit të madh më 11 gusht deri më 13 gusht.

Gjithashtu kritika të ashpra po vazhdojnë të hedhin partitë opozitare për mënyrën sesi u përballuan zjarret në Atikën verilindore dhe mungesën e masave paraprake  kundër zjarreve në një moment të ndryshimeve të theksuara klimatike me thatësirë të vazhdueshme dhe temperatura të larta.

SHARE