Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është shprehur se Kosova është duke e zbatuar me besnikëri marrëveshjen e Bratislavës, sipas të cilës janë reduktuar forcat policore në objektet komunale në veri.
Osmani theksoi po ashtu se është duke u krijuar edhe baza ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna. Megjithatë, ajo shprehet e habitur për masat e BE-së ndaj Kosovës të cilat i quan në disproporcion me veprimet e institucioneve të Kosovës.
E pyetur nga KosovaPress, ajo thekson se masat nuk janë përgjigje që nxitin bashkëpunimin dhe koordinimin, por që sipas saj më së shumti i bëjnë dëm procesit të dialogut.
“Pavarësisht asaj që ka ndodhur më 26 maj, vlerësoj se përgjigja e BE-së nëpërmjet masave që ka miratuar ka qenë komplet disproprocionale me veprimet e institucioneve të Kosovës. Nuk është përgjigje që nxitë bashkëpunimin dhe koordinimin , përkundrazi është përgjigje e cila më së shumti i bën dëm procesit të dialogut që e qet komplet jashtë binarëve ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë. Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarët e NATOS-. Për këta njerëz ka dëshmi të sakta. Ata njerëz janë në video, dihet kush janë, disa prej tyre janë policë të Serbisë dhe nuk ka asnjë masë të vetme në raport me Serbinë për këtë agresion që ka kryer në raport me Kosovën dhe për dhunën që ka kryer në raport me NATO-n”, thekson Osmani.
Ajo më tej theksoi se masat e BE-së padrejtësisht janë vendosur ndaj Kosovës si rezultat fushatës dezinformuese masive kundër Kosovës.
“Komunikmimi im është i përditshëm me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Sa i përket masave që padrejtësisht janë vendosur ndaj Kosovës si rezultat unë do të thosha edhe i një fushate dezinformuese masive kundër Kosovës, e cila ka rezultuar me një sërë masash të cilat akoma janë në fuqi”, theksoi ajo.
Gjatë vizitës në Dragash, Osmani foli edhe për marrëveshjen e Bratislavës, që sipas saj duke u krijuar baza ligjore për zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.
“Në Bratislavë është arritur një marrëveshje që ka kërkuar masa të deeaskalimit nga Kosova. Vendi ynë është duke e respektuar me besnikëri atë marrëveshje. Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen që kërkon konsultim edhe me EULEX dhe me prezencën e NATO-s këtu. Në anën tjetër është duke u krijuar baza ligjore për zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. Të gjitha këto kanë qenë kërkesa të marrëveshjes së Bratislavës, tani presim që hapat t’i ndërmarrin partnerët tanë në Bashkimin Evropian, sepse masat e tyre kanë qenë komplet disproprocionale me çfarë do pakënaqësie që mund të kenë pasur në raport me veprimet e Qeverisë së Kosovës”, theksoi ajo.