10 Këshillat më të Mira që do t’ju Lehtësojnë Punën në Gatim

AgroWeb.org ju njeh me 10 këshillat më të mira të gatimit, pavarësisht faktit nëse jeni një kuzhinier ekspert apo fillestar, të cilat do t’ju vijnë në ndihmë duke iu lehtësuar edhe më tej punën.

Si të qëroni një vezë të zier

Pasi veza të jetë ftohur mjaftueshëm, vendoseni atë në një sipërfaqe të fortë dhe rrotullojeni butësisht me dorë për të çarë lëvozhgën e saj nga të gjitha anët.

Qërojeni nën ujë, pasi iu ndihmon të hiqni më me lehtësi lëvozhgën e saj.

Si të bëni një omëletë perfekte

Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni kur bëni një omëletë, është të rrihni mirë vezët me erëza paraprakisht.

Mos e kurseni yndyrën që duhet për gatim, përdorni nxehtësi mesatare deri në të lartë dhe mundohuni ta ktheni atë edhe nga ana tjetër.

Si të qëroni xhenxhefilin

Qërimi i xhenxhefilit është i thjeshtë. Mjafton ta kruani lëkurën e tij duke përdorur buzën e një luge çaji. Është më e lehtë sesa përdorimi i një qëruesi ose thike.

Çfarë të bëni me bukën e mbetur

Ju mund ta thërmoni atë në një mikser dhe ta përdorni për recetat e kotoletave. Por gjithashtu mund ta skuqni duke e lyer me vezë.

Si të hiqni kripën e tepërt nga salca

Keni shtuar shumë kripë në salcë apo tek lëngu i mishit? Provoni të vendosni një copë patate dhe ta lini për aq kohë sa të jetë e mundur. Patatja do të thithë një pjesë të kripës.

Gjithashtu ju mund të shtrydhni pak lëng limoni, i cili ​​mund të zvogëlojë perceptimin e aromës tepër të kripur.

Si të përdorni ujin e makaronave

Ruani një filxhan me ujë nga zierja e makaronave përpara se t’i kulloni. Nëse makaronat duken të thata kur i shtoni në salcë, shtoni pak nga uji që ruajtët.

Si të bëni një salcë të lehtë për makarona

Ngrohni 1 lugë gjelle vaj ulliri në një tigan të madh, skuqni 3 thelpinj hudhër të shtypur për 30 sekonda, më pas shtoni 400 gr domate të grira dhe 2 lugë çaji rigon të thatë. Lëreni të vlojë për 20 minuta derisa të trashet.

Si të ndaloni diegien e shpejtë të kekut

Nëse shihni se pjesa e sipërme e kekut është krejtësisht e artë, por brenda nuk është ende gati, atëherë mbulojeni me një fletë alumini dhe lëreni derisa të piqet plotësisht.

Çfarë të bëni nëse buka nuk fryhet

Nëse vëreni se kjo iu ndodh vazhdimisht, me shumë mundësi majaja është vjetëruar. Gjithashtu provoni të masni saktësisht sasinë e kripës dhe majasë, mos përdorni ujë tepër të nxehtë dhe sigurohuni që brumi të ketë mjaftueshëm lagështi.

Si të shkrini çokollatën

Priteni çokollatën në copa të vogla. Vendoseni në një tas të thatë, rezistent ndaj nxehtësisë. Tasin vendoseni mbi një enë me ujë të zier duke u siguruar që uji të mos prekë fundin e enës. Përziejini çokollatën herë pas here.

SHARE