THATËSIRA RREZIKON FURNIZIMET ME ENERGJI NË EUROPË

Temperaturat e larta po godasin gjithashtu prodhimin e energjisë nga burimet diellore, hidro dhe bërthamore Shumë vende europiane, përfshirë Italinë, Francën dhe Spanjën, po përballen me thatësira të mëdha këtë verë, gjë që ka shkaktuar reduktim të furnizimit me energji nga burimet hidro, bërthamore dhe diellore. Të dhënat nga agjencia norvegjeze e konsulencës Rystad Energy thonë se në shtatë muajt e parë të këtij viti në Europë, energjia elektrike e prodhuar nga hidrocentralet ka rënë me 20% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe energjia nga burimet bërthamore është ulur 12%. Temperaturat e larta në të gjithë Europën kanë çuar në mungesën e ujit në lumenj dhe rezervuarë, gjë që ka ulur ndjeshëm aftësinë e hidrocentraleve për të prodhuar energji. Në Itali, hidrocentrali, që përbën 20% të prodhimit total të energjisë elektrike në vend, ra me 40% në 12 muajt e fundit. Në Spanjë, energjia elektrike e prodhuar nga lëvizja e ujit është ulur gjithashtu me 44%. Analistët nga Rystad Energy thanë se megjithëse hidrocentrali mund të jetë i paqëndrueshëm, një rënie prej 40% është ende “absolutisht ekstreme”. Vala e të nxehtit po prek gjithashtu termocentralet bërthamore pasi uji i lumit që përdoret për të ftohur reaktorët bërthamorë është shumë i nxehtë, gjë që kufizon prodhimin e energjisë bërthamore në Francë. Temperaturat e larta po godasin gjithashtu prodhimin e energjisë nga burimet diellore, pasi teknologjia në panelet diellore funksionon më pak mirë në temperatura të larta dhe ekspozimi ndaj thatësirës shkurton punën e paneleve diellore. Ndërkaq i nxehti ekstrem prej më shumë se një jave po intesifikon zjarret në të gjithë Europën. Zjarrfikësit në rajonin e Valencias të Spanjës u përpoqën të kontrollonin flakët në të gjithë rajonin. Një zjarr në Vall d’Ebo, afër Alicante dogji 3,500 hektarë, duke detyruar 1,000 vendas të evakuohen nga shtëpitë e tyre. Në Castellon zjarrfikësit u përpoqën të kontrollonin një zjarr në Les Useres, i cili u ndez të dielën në mëngjes dhe u përhap me shpejtësi përmes fushave me misër. Rajoni i Valencias u përball me tre zjarre të mëdha në pyje duke përfshirë Vall d’Ebo, Les Useres dhe Calles. Rreth 300 zjarrfikës, përfshirë 187 përforcime ushtarake, u vendosën në dispozicion për të shuar flakët. Agjencia spanjolle e motit AEMET tha se kushtet e motit po e bëjnë të pamudnur vënien në kontroll të flakëve për shkak të erërave të forta dhe të çrregullta plus temperaturat e larta pritet që edhe gjatë kësaj jave të arrijnë 37 gradë Celsius.

SHARE