PRESIDENTI I SHQIPËRISË BEGAJ NIS VIZITËN E TIJ TË PARË ZYRTARE NË KOSOVË

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Shqipërinë për përkrahjen e “pa rezervë për Kosovën”, duke theksuar se beson që nën udhëheqjen e presidentit Begaj marrëdhëniet midis dy vendeve do të intensifikohen në të gjitha fushat. Duke folur për sigurinë, presidentja Osmani tha se objektiv i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE), sidomos në kohën kur “po sfidohet arkitektura e sigurisë në gjithë kontinentin evropian”. Sa i përket bashkëpunimit në siguri dhe mbrojtje midis të dy vendeve, Osmani bëri të ditur se Kosova i ka bërë kërkesë Shqipërisë për “traktat për mbrojtje të ndërsjellë”. “Është me rëndësi që me Shqipërinë, siç e diskutuam me presidentin Begaj, të kemi edhe një traktat për mbrojtje të ndërsjellë në mënyrë që do të reagonim në mënyrë reciproke në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite që e kam bërë një propozim të tillë i cili është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete, përfshirë aleatët tanë strategjik, ndaj mendoj se është koha të bëjmë hapat e duhur në këtë drejtim”, tha Osmani. Në lidhje me situatën në veri të vendit, Osmani tha se institucionet kosovare janë të përkushtuara që të vazhdojnë në koordinim të plotë ndërkombëtar. Presidentja kosovare tha se nga BE-ja duhet që Serbisë t’i jepen sinjale të qarta karshi tendencave të saj destabilizuese ndaj gjithë rajonit. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se vizita e parë e tij zyrtare është e natyrshme për shkak të lidhjes vëllazërore të dy popujve dhe rrugës së përbashkët euro-atlantike. Begaj tha se Shqipëria e mbështet fuqishëm Kosovën në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë në NATO. Begaj tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar dhe një e drejtë që qytetarët duhet ta gëzojnë. “Kosova dhe Shqipëria janë dhe mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuuese të rëndësishme për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i politikave të të gjitha institucioneve tona duhet të jetë objektiv i qëndrueshëm dhe parësor pasi kështu krijojmë premisat që faktori shqiptar të konsolidohet si faktor strategjik dhe faktor stabiliteti në rajon”, theksoi Begaj. Ai tha se Shqipëria e vlerëson qëndrimin e presidentes Osmani për vazhdimin e dialogut me Serbinë si dhe mbështet këtë proces deri në një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Begaj u takua sot edhe me kryeministrin Albin Kurti, kreun e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe me udhëheqës të partive politike në vend. Begaj gjithashtu gjatë vizitës dyditore në Kosovë do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it në Kosovë dhe me ushtarët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në kuadër të KFOR-it, ndërsa do të zhvillojë vizitë edhe në Prekaz dhe Prizren.

SHARE