Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Transportit dhe Detarisë, Filip Radulloviq, deklaroi për Televizionin e Malit të Zi se siguria në det ka pësuar përmirësime të dukshme krahasuar me vitet e kaluara.
Ai theksoi se deri në fund të këtij muaji pritet që projektligji i ri për sigurinë e lundrimit të dërgohet për harmonizim në Komisionin Evropian.
“Angazhuam më shumë inspektorë për këtë sezon, si dhe më shumë mjete lundruese. Kemi dy mjete të reja të shpejta të cilat tashmë janë në përdorim dhe që nuk i kemi pasur më parë. Tani kemi një ekip të plotë dhe jemi më të pranishëm në det. Kjo ka rezultuar edhe me më shumë gjoba, por gjithashtu kemi vënë re një reagim pozitiv nga qytetarët, rregullat po respektohen më shumë. Pothuajse çdo mjet që transporton pasagjerë ka tani dy anëtarë ekuipazhi, gjë që më parë nuk ishte praktikë”, deklaroi Radulloviq.
Sa i përket rregullit dhe sanksioneve në det, ministri theksoi se janë përpjekur t’i ashpërsojnë gjobat brenda kufijve ligjorë të lejuar.
“Një shkelje që më parë dënohej me 200 euro, tani dënohet me 500 euro. Edhe në këtë aspekt presim përmirësime të ndjeshme”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se ligji aktual për sigurinë e lundrimit është në fuqi tashmë prej 12 vitesh dhe miratimi i një ligji të ri konsiderohet sukses i madh.