Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Diskutimi për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tubimet publike në Kuvendin e Malit të Zi është shtyrë për pas festave, për shkak të mungesës së propozuesve. Ndërkohë, qëndrimet mes pushtetit dhe opozitës janë thellësisht të kundërta: shumica thotë se qëllimi i ligjit është mbrojtja e lirisë së lëvizjes, ndërsa opozita e cilëson atë si jokushtetues dhe shtypës për liritë qytetare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), Nikola Rakoçeviq, kritikoi ashpër propozuesit duke thënë se janë shmangur nga debati në sallë, dhe shprehu shpresën se ligji do të tërhiqet nga procedura.
“Propozuesit u larguan nga salla për të shmangur arsyetimin e ligjit, që nënkupton edhe shtyrjen e diskutimit. Ata janë të vetëdijshëm për pasojat që ky ligj do të kishte mbi integrimet tona evropiane dhe mbi pozitën e tyre si pushtet, si dhe për zemërimin që do të shkaktonte tek qytetarët”, deklaroi Rakoçeviq, duke shtuar se bëhet fjalë për një zgjidhje jokushtetuese që kufizon të drejtën për protesta dhe grumbullime në hapësira publike.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Boshnjake, Jasmin Qoroviq, mbrojti propozimin, duke theksuar se synimi nuk është ndalimi i protestave, por sigurimi i funksionimit të rregullt të jetës publike dhe respektimi i të drejtës për lëvizje të lirë.
“Absolutisht nuk kemi qëllim të ndalojmë të drejtën kushtetuese për tubim. Por është e rëndësishme të mos pengohet qarkullimi dhe funksionimi i përditshëm i qytetarëve dhe turistëve, siç ka ndodhur kohët e fundit për shkak të bllokadave të rrugëve”, tha Qoroviq.
Ai theksoi se qytetarët mund të protestojnë para institucioneve dhe objekteve publike, pa bllokuar infrastrukturën rrugore.
Ndryshimet ligjore janë propozuar nga deputeti i Lëvizjes “Evropa Tani”, Seid Haxhiq, dhe nënshkruar nga Dushko Stijepoviq (Demokratët), Jelena Klajeviq (DNP), Dejan Gjuroviq (NSD), Bogdan Bozhoviq (SNP), Amer Smajloviq (Partia Boshnjake) dhe Artan Çobi (Forumi Shqiptar).
Ligji ka ngjallur reagime të shumta dhe pritet që pas festave të rifillojë debati parlamentar rreth tij, me opozitën që vazhdon të kërkojë tërheqjen e propozimit si një akt që cenon të drejtat themelore të qytetarëve.