Një gjykatë në Shtetet e Bashkuara ndaloi përkohësisht vendimin e Qeverisë amerikane për t’iu hequr statusin e mbrojtjes së përkohshme afganëve që gjenden në SHBA.
Kjo u jep së paku edhe një javë kohë mijëra afganëve që rrezikojnë të dëbohen dhe të kthehen në Afganistan – vendin që kontrollohet nga talibanët.
Gjykata e Apelit për Qarkun e Katërt në Riçmond, Virxhinia, vendosi një pezullim administrativ mbi vendimin për t’i dhënë fund statusit të mbrojtjes së përkohshme për afganët, duke e shtyrë atë deri më 21 korrik.
Kjo masë erdhi pas një kërkese nga organizata CASA, e cila mbron të drejtat e imigrantëve.
CASA paraqiti një kërkesë urgjente më 14 korrik, pikërisht në ditën kur pritej të përfundonte statusi i mbrojtjes për afganët.
Gjykata nuk dha asnjë arsye për vendimin e saj, ndërsa administrata amerikane ka afat deri më 16 korrik, ora 23:59, për të dhënë përgjigje.
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare njoftoi qysh më 12 maj se statusi i mbrojtjes së përkohshme për afganët do të skadojë më 14 korrik.
Ky vendim do t’i prekte rreth 9.000 deri në 12.000 afganë që aktualisht jetojnë dhe punojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të këtij programi.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe vetë refugjatët afganë e kritikuan ashpër vendimin, duke thënë se ai vë në rrezik jetën e mijëra njerëzve dhe injoron situatën e vështirë dhe të rrezikshme që vazhdon në Afganistan.