BIE NDJESHËM ÇMIMI I NAFTËS NË BURSAT NDËRKOMBËTARE

Çmimi i naftës së papërpunuar në tregjet botërore bie sërish nën 100 dollarë për fuçi dhe prek kuotat më të ulëta që prej mesit të muajit Prill. Në bursën e Teksasit, nafta bruto tregtohet këtë të Premte me rreth 96 dollarë për fuçi, ndërsa në atë të Londrës rreth 99 dollarë. Çmimet janë për kontratat e blerjeve, përkatësisht për muajt Gusht dhe Shtator. Çmimi më i ulët u arrit të Enjten kur në bursën e Teksasit, një fuçi u tregtua edhe më 91 dollarë. Rënia ka të bëjë me vendimet e marra nga rezerva federale amerikane, për të ulur inflacionin që ka arritur nivelet më të larta të 5 dekadave të fundit, por mbi të gjitha me vizitën e presidentit amerikan Joe Biden në Arabinë Saudite që nis këtë të Premte. Shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet t’u kërkojë monarkëve sauditë që janë prodhuesit më të mëdhenj në botë, rritjen e prodhimit të naftës. Riadi nuk i është përgjigjur pozitivisht thirrjeve të këtyre muajve të Uashingtonit për të ndihmuar në zbutjen e krizës globale të energjisë që ka shkaktuar sulmi rus në Ukrainë. Por marrëdhëniet mes dy vendeve janë ftohur që në 2018-ën, pas vrasjes së gazetarit Kashoxhi, për të cilën u fajësua Arabia Saudite.

SHARE