Omëletat gjithmonë janë një zgjidhje e shpejtë dhe e shijshme për një darkë të lehtë.
Mjafton që të shtoni perimet tuaja të preferuara dhe omëleta klasike kthehet në një pjatë të plotë.
AgroWeb.org ju sugjeron që të provoni kombinimin e patëllxhanëve dhe domateve për një përfundim aromatik dhe me shije fantastike.
Përbërësit për 4 persona
- 8 vezë
- 350g patëllxhanë
- 40g djathë kaçkavall
- Kripë
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 300g domate qershi
- 2 qepë të njoma
- Borzilok
- Piper i zi
- Vaj për skuqje
Përgatitja
Nisni me përgatitjen e patëllxhanëve duke i larë me ujë të bollshëm dhe duke hequr pjesën e bishtit.
Më pas pritini në kubikë të vegjël dhe skuqini lehtë në një tigan me pak vaj ulliri.
Kur të keni mbaruar me skuqjen e tyre lërini në një pjatë me letër kuzhine, kështu largohet yndyra e tepërt.
Ndërkohë, AgroWeb.org ju sugjeron që të vazhdoni me përgatitjen e perimeve të tjera.
Grini hollë qepët e njoma, ndërsa domatet qershi pritini në dy pjesë.
Tek tigani ku skuqët patëllxhanët shtoni edhe pak vaj ulliri dhe hidhni qepët e njoma.
Lërini të skuqen pak dhe më pas shtoni domatet qershi duke u dhënë shije me kripë dhe piper të zi.
Mundohuni t’i përzieni sa më pak që forma e domateve të mos prishet.
Kur të shihni që qepët dhe domatet janë skuqur shtoni copat e patëllxhanit gjithashtu edhe borzilokun e grirë.
Ndërkohë në një tas rrihni vezët duke i bashkuar me djathin kaçkavall.
Nëse dëshironi AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni edhe djathin e bardhë për një shije akoma edhe më speciale.
Pasi ta keni përzierë mirë masën kalojeni në tigan mbi perimet.
Lëreni të skuqet për 2-3 minuta dhe më pas mbulojeni tiganin me kapak duke e lënë në zjarr të ulët.
Me këtë metodë omëleta do të piqet me avujt e saj duke e bërë më të shëndetshme dhe me shije perfekte.
Pasi të kenë kaluar 5-6 minuta kthejeni omëletën nga ana tjetër duke përdorur një pjatë.
Lejojeni që të skuqet lehtë edhe nga ana tjetër dhe më pas mund ta shërbeni për të dashurit tuaj./