MICHEL: FOKUSI I KOSOVËS DUHET TË JETË DIALOGU ME SERBINË

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel. Presidentja e Kosovës, Osmani tha në konferencë se përkushtimi i popullit dhe institucioneve të Kosovës për t’ju bashkuar familjes së BE-së është i palëkundur. Ajo tha ka ardhur koha që të ngriten marrëdhëniet e Kosovës me institucionet evropiane në një nivel më të lartë. Presidentja kosovare tha se Kosova është e përkushtuar edhe në dialogun me Serbinë si proces jetik që shpien të dyja vendet drejt BE-së, por, procesi duhet të përqendrohet në njohje reciproke midis të dyja vendeve. Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel tha se me presidenten Osmani kanë diskutuar për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, ndërsa ka bërë të ditur se mirëpresin punën e Qeverisë së Kosovës për reforma, sidomos në çështje kyçe sikurse është sundimi i ligjit. Ai tha se në këtë takim është diskutuar edhe liberalizimi i vizave ndërsa ka thënë se për këtë shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin veç e veç. Sipas tij, fokusi i Kosovës duhet të jetë në dialogun Kosovë-Serbi. “Kosova duhet të angazhohet me fokus në bërjen e progresit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Të dyja palët duhet të bëjnë progres të shpejtë në implementimin e marrëveshjeve të vjetra dhe është koha që në nivel liderësh të shihet përpara për të avancuar këtë proces në të mirën e gjithë rajonit”, theksoi Michel.

SHARE