KUVENDI VOTOI – TVSH-ja NË BUKË ZERO PËR QIND, NUK DO TË VENDOSET AKCIZA PËR PLASTIKËN

Kuvendi njëzëri miratoi ndryshimet në Ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe ndryshimet në Ligjin për akciza. Gjatë shpjegimit të ligjit në Kuvend, Shehoviq tha se këto dy propozime duhet të zgjidhin problemet që i mundojnë qytetarët. “Me ligjin e parë duam të ulim TVSH-në e bukës nga shtatë për qind aktuale në zero për qind dhe kështu të kontribuojmë në uljen e çmimit të këtij ushqimi bazë, i cili u rrit me 30 për qind në fillim të vitit, por edhe për t’i dhënë fund një praktike të padrejtë që shteti e fiton me rritjen e çmimit të bukës”, tha Shehoviq. “Me ligjin e dytë duam të heqim akcizën e plastikës që përdoret si ambalazh në industrinë ushqimore dhe të pijeve, pra akcizën që u vendos së fundmi me miratimin e ligjit për akcizën në parlament që u imponohet subjekteve ekonomike vendore që merren me prodhimin e ujit, qumështit dhe produkteve të qumështit, si dhe atyre që merren me ripaketimin e produkteve të caktuara”, tha Shehoviq. Përfaqësuesi i Klubit të deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikolla Rakoçeviq, tha se partia do të mbështesë propozimet e SD-së. Përfaqësuesja e Klubit të deputetëve, Fronti Demokratik, Simonida Kordiq, tha se do të mbështesë zgjidhjet e propozuara ligjore, të cilat, siç vlerësoi ajo, janë të mira, por të pamjaftueshme. Edhe përfaqësuesja e Klubit të deputetëve të Partisë Popullore Socialiste, Millosava Paunoviq, deklaroi se partia do t’i mbështesë këto zgjidhje ligjore, vetëm sepse janë në interes të qytetarëve. Përfaqësuesi i Klubit të Demokratëve – Demos, Danillo Sharanoviq, tha se masa të tilla për të mbështetur qytetarët nga njëra anë dhe ekonominë në anën tjetër janë të mirëseardhura. Kryetari i Klubit të Deputetëve „E zeza mbi të bardhë“, Millosh Konatar, ka deklaruar mbështetjen e tij për ligjet e propozuara. Përfaqësuesi i Klubit të Lëvizjes për Ndryshim, Branko Radulloviq, përkujtoi se vitet e kaluara ai dhe kolegët e tij kanë propozuar zgjidhje ligjore, të cilat tani i propozon SD-ja. Përfaqësuesi i Klubit të deputetëve të Partisë Boshnjake, Sulo Mustafiq, ka deklaruar mbështetjen e tij për propozimet ligjore të SD-së, duke shpjeguar se ato i shikojnë pa përzierje populiste. Përfaqësuesja e Klubit të Deputetëve, Partia Socialdemokrate – Partia Liberale, Draginja Vuksanoviq Stankoviq ka deklaruar mbështetjen e saj për propozimet ligjore të SD-së.

SHARE