KURTI-VUÇIQ TAKOHEN NË BRUKSEL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian janë takuar sot në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në takim ka prezantuar ide të reja, ku njëra ndër to ishte edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën dhe “në këtë mënyrë t’i kontribuojmë paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”. Po ashtu, Kurti tha se gjatë takimi ka ngritue edhe çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, është çështje “që nuk pret”. Kryeministri i Kosovës po ashtu tha se ka propozuar që të pas njohjes së ndërsjellë, sa i përket pakicave të aplikohet parimi i reciprocitetit bilateral, duke krijuar në Kosovë Këshill nacional për serbët, ashtu siç kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi. Po ashtu ai ka prezantuar edhe një ide për ridizajnimin e marrëveshjes së CEFA-s, por sipas tij tri propozimet janë refuzuar nga delegacioni i Serbisë, ndërkaq për CEFTA-n nuk kanë marrë përgjigje. Duke folur për marrëveshjen eventuale me Serbinë, Kurti tha se nuk është pesimist dhe shtoi se duhet të shfrytëzohet momentumi, kur në SHBA ka nisur mandati i presidentit Joe Biden dhe në Kosovë qeveria që ai udhëheqë është në ditët e para, në mënyrë që të finalizohet marrëveshja. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq tha se nuk ka rënë dakord me Kurtin “absolutisht për asgjë”. “Ata erdhën që të merren vesh për asgjë, absolutisht për asgjë”, u tha gazetarëve Vuçiqi pas takimit me Kurtin. Vuçiq ka thënë se pala e Kosovës nuk dëshiron të plotësojë marrëveshjet që kanë nënshkruar. “Pra, nuk dëshirojnë fare të bisedojnë për Asociacionin e Kosovës. Së dyti, ata kërkuan me urgjencë dhe menjëherë të dëgjojnë se kur do ta pranojmë Kosovën e pavarur dhe së treti, ata i quajnë incidente dhe provokime faktin që serbët dëshirojnë të marrin pjesë në liturgjitë në kishat e tyre, sepse tokat për ato kisha janë dhënë mbase në kohën e pushtetit të Slobodan Milosheviqit”, ka thënë Vuçiq. Ky takim u ndërmjetësua nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

SHARE