Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
BE-ja i ka paguar Malit të Zi pothuajse 27 milionë euro nga Plani i Rritjes, njoftoi në rrjetin social “X” kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.
Kjo vjen si njohje e vlerës së agjendës së reformave që Qeveria e Malit të Zi e ka propozuar vitin e kaluar.
“Shuma totale prej 383 milionë eurosh, që do të marrim gradualisht gjatë dy viteve të ardhshme, do të drejtohet për realizimin e reformave gjithëpërfshirëse që do të sjellin dobi konkrete për qytetarët. Po ndërtojmë 12 kopshte të reja, 11 shkolla fillore dhe dy konvikte për studentë,” tha Spajiq.
Siç theksoi kryeministri, po investohet në arsim inkluziv dhe zhvillimin e aftësive të reja.
“Po marrim më shumë energji nga burime të rinovueshme. Po forcojmë buxhetin dhe po zgjeromë shërbimet sociale. Po ndërmarrim shërbime të reja digjitale dhe shkurtuam radhët në sportele. Po krijojmë kontroll më të mirë mbi prokurimet publike dhe po forcojmë luftën kundër ekonomisë gri,” tha Spajiq, duke theksuar se reformat nuk janë vetëm burokraci, ato do të thonë një jetë më të mirë.