Foto: Luka Zeković
Mali i Zi duhet të përshpejtojë reformat ligjore, të zbatojë legjislacionin e ri, të harmonizojë aktet ligjore dhe të forcojë kapacitetet institucionale, në mënyrë që të mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm, theksoi ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Podgoricë, Johann Sattler.
Sattler, në hapjen e takimit të anëtarëve të Komitetit për Integrime Evropiane me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, tha se Bashkimi Evropian dëshiron që partnerët e Ballkanit Perëndimor të shfrytëzojnë mundësinë që ofrohet, gjë që u konfirmua nga vizita rajonale e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Ai theksoi rëndësinë e zgjerimit, riafirmoi përkushtimin për një Europë të bashkuar, si dhe dëshirën e tij dhe tonën për të ndihmuar Malin e Zi të bëhet anëtar i ri i BE-së,” tha Sattler.
Ai tha se që nga vitit i kaluar, ringjallja e politikës së zgjerimit ka bërë përparim të dukshëm.
“Mali i Zi është në një pozicion të fortë dhe lider në këtë proces, është shumë pozitive që po mbani plotësisht të harmonizuar politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, diçka që u theksua dje nga përfaqësuesit e Malit të Zi në takimin me Costa-n,” shtoi Sattler.
Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë një punë të madhe, duke miratuar ligjin IBAR dhe duke përmbushur kriteret, gjë që çoi në mbylljen e kapitujve pas shtatë vjetësh.
Sattler theksoi se në fillim të vitit u humb një kohë e çmuar për shkak të ngecjes politike në Malin e Zi.
Sipas tij, Kuvendi i Malit të Zi dhe shumica parlamentare dhe opozita kanë treguar se çfarë mund të arrijnë kur ka konsensus politik për prioritetet kombëtare.
“Jam i sigurt se gjatë muajve të ardhshëm do ta vazhdoni këtë punë, duke ruajtur cilësinë. Jam optimist se Kuvendi nuk do ta humbë këtë mundësi unike që i jepet një herë në një gjeneratë,” tha Sattler.
Ai theksoi se nuk ka ndonjë formulë të veçantë sekrete për t’u bërë anëtar i BE-së, por bëhet duke qëndruar në kurs, duke mbajtur fokusin, duke shmangur ndarjet dhe duke përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.
Sattler u shpreh se BE-ja, si gjithmonë, do të jetë një partner i besueshëm në rrugën evropiane.
“Do të ndihmojmë shumë konkretisht, në mënyrë që në fund të ditës të mund të kalojmë së bashku në finish deri në vitin 2026,” shtoi Sattler.