RAMA PRET PRESIDENTIN E KE: MBYLLIM NEGOCIATAT BRENDA 2027-ës

Foto: Olsi Shehu/AA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama priti të enjten pasdite Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Së bashku, patën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria do të hapë 8 kapituj të tjerë në ditët në vijim dhe synon që t’i çelë të gjitha ato brenda vitit.

“Kënaqësi të ritakohem me presidentin, i cili është një mik i dashur dhe shumë i mençur. I dashur Antonio shumë faleminderit. Jemi këtu sot, pasi presidenti ka vizituar të gjithë rajonin dhe është ndalur në Tiranë edhe për faktin se nesër do të jetë i pranishëm në samitin e KPE. Natyrisht që diskutuam për të dyja aspektet që na lidhin me Këshillin Europian dhe me BE-në, për aspektin e procesit tonë të rrugës së anëtarësimit që po ecën shumë mirë. Sot Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave me 16 kapituj të hapur, 8 kapituj të tjerë do hapen në ditët në vijim dhe synojmë t’i hapim të gjithë kapitujt brenda vitit. Ndërkohë siç e kam ndarë edhe publikisht plani i përbashkët me KE dhe i mbështetur nga vendet anëtare është që të arrijmë të mbyllim negociatat në harkun e 3 vjetëve domethënë nga 2024 kur filluan në 2027. Është plan ambicioz, por mundësi e jashtëzakonshme për ne pasi janë rreshtuar yjet në një farë mënyre dhe BE si asnjëherë më parë është shumë i dëshiruar që të pranojë anëtarë të rinj, por natyrisht bazuar në meritë dhe rezultate”, tha Rama.

Mes të dyve u fol edhe për ecurinë në tërësi të rajonit. Kjo, theksoi Rama, është arsyeja pse BE-ja është gati që të pranojë anëtarë të tjerë në gjirin e saj. Me këtë rast pati një ftesë edhe për kolegët e rajonit që të mos e humbasin këtë moment.

“Ftoj të gjithë kolegët e rajonit miqtë e mi që të mos e humbasim këtë moment që historia na e ka sjellë në derë dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë gatishmëri të BE, pa harruar që historitë e këtyre viteve kanë treguar që procesi i zgjerimit mund të shpejtojë në një moment dhe mund të ngadalësojë për shumë vite”, tha Rama.

Presidenti i Komisionit Europian, Antonio Costa, theksoi edhe njëherë vendimin e BE-së për zgjerimin e pakthyeshëm në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm.

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, tha gjatë një konference të përbashkët për shtyp se nëse Shqipëria vazhdon punën për mbylljen e kapitujve me këtë përkushtim që po demostron aktualisht, anëtarësimi në Bashkimin Europian mund të ndodhë para vitit 2030.

“Unë nuk është se po kërkoj ndonjë gjë, ndonjë datë në vetvete, por ne do të shikojmë dita-ditës se çfarë po bën Shqipëria dhe sapo të kemi përfunduar procesin, në ato momente Shqipëria do bëhet shtet anëtar i BE, pse jo më para vitit 2030, që do të thotë nëse Shqipëria do të vijojë me këto rezultate në të njëjtin ritëm, është e mundur që Shqipëria të bëhet shtet anëtar brenda 2030 dhe kjo varet nga ju, nëse do të vazhdoni me të njëjtin ritëm. Unë jam i sigurt që muajt në vijim dhe dy vitet në vijim, jam i sigurt që do bëni një punë të shkëlqyer”, tha Costa.

SHARE