Foto: DAN
Qytetarët e Ulqinit dhe të Anës së Malit, përfaqësues të autoriteteve lokale, deputetë dhe përfaqësues të sektorit civil, u mblodhën sot në dy pika kufitare – në Krruç dhe në Sukubinë – për të protestuar kundër marrëveshjes për dhënien me qira për 99 vite të Plazhit të Madh kompanisë arabe Eagle Hills.
Protestuesit mbajtën banderola me mesazhe kundërshtuese ndaj projektit, duke shprehur qartë qëndrimin e tyre kundër një marrëveshjeje të cilën e konsiderojnë të dëmshme për interesin publik, mjedisin dhe të ardhmen e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës.
Në protestë folën Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, deputetët Mehmet Zenka dhe Ilir Çapuni, nënkryetari i Komunës Beqir Sellaj, si dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Saubih Mehmeti.
Të gjithë folësit theksuan nevojën për një zhvillim që respekton ligjet, dokumentet planifikuese dhe zërin e qytetarëve.
“Ulqini ka nevojë për zhvillim, por jo në forma që anashkalojnë institucionet lokale dhe injorojnë zërin e komunitetit,” u shpreh Nimanbegu, duke theksuar se kjo është një çështje që i kalon kufijtë lokalë dhe prek parimet e transparencës, ligjshmërisë dhe ruajtjes së resurseve natyrore.
Protesta zgjati rreth një orë dhe kaloi pa incidente.
Organizatorët kërkuan mirëkuptim nga udhëtarët për bllokimin e përkohshëm të qarkullimit në këto pika, duke theksuar se qëllimi i protestës ishte mbrojtja e interesit publik dhe dërgimi i një mesazhi të qartë ndaj Qeverisë dhe investitorëve.
Kjo ishte një prej shumë reagimeve që Komuna e Ulqinit ka ndërmarrë muajt e fundit kundër marrëveshjes së propozuar, e cila sipas autoriteteve lokale nuk është në përputhje me dokumentet planifikuese dhe procedurat ligjore të Malit të Zi.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura për transparencë dhe konsultim publik, Qeveria duket se mbetet e vendosur për të vazhduar me projektin, duke nxitur edhe më tej pakënaqësinë qytetare.