PROPOZON ‘ZONËN E LIRISË’ NË GAZA / TRUMP PËRSËRIT OFERTËN: SHBA TA MARRË NËN KONTROLL

Foto: Reuters

Donald Trump përsëriti një propozim që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Gazës, duke thënë se ai do ta bënte atë një “zonë lirie”.

Presidenti amerikan riktheu në vëmendje propozimin e tij ndërsa fliste në një tryezë të rrumbullakët biznesi në Doha me zyrtarë të lartë të Katarit të enjten.

“Nëse është e nevojshme, mendoj se do të isha krenar që Shtetet e Bashkuara ta marrin dhe ta bëjnë Gazën një zonë lirie. Po punojmë shumë fort në Gaza, dhe Gaza ka qenë një territor vdekjeje dhe shkatërrimi për shumë vite”, tha ai.

“Dhe ju e dini, unë kam koncepte për Gazën që mendoj se janë shumë të mira: ta bëjmë një zonë lirie, le të përfshihen Shtetet e Bashkuara dhe ta bëjmë një zonë të vërtetë lirie”.

Trump e ka hedhur këtë ide edhe më parë, në shkurt, kur tha gjatë një konference për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara duan të “marrin nën kontroll” Rripin e Gazës.

Ai tha në atë kohë: “Ne do ta zotërojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe të gjitha armëve të tjera në vend. Ne do ta marrim atë pjesë dhe do ta zhvillojmë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune, dhe do të jetë diçka për të cilën e gjithë Lindja e Mesme mund të jetë krenare”.

Trump nuk ka dhënë detaje se çfarë kuadri ligjor do t’i lejonte Amerikës të dëbonte afërsisht 1.8 milion palestinezët e mbetur në Gaza, por ai tha se beson që Egjipti dhe Jordania do të bien dakord të pranojnë palestinezët, gjë që të dyja vendet nuk e kanë pranuar.

SHARE