OSMANI: ANËTARËSIMI I KOSOVËS NË BE TË TRAJTOHET ME PRIORITET

Foto: Erkin Keçi/AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në bllokun evropian të trajtohet me prioritet.

Osmani në një konferencë për media pas takimit në Prishtinë me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, tha se Kosova nën udhëheqjen e presidentit Costa pret hapat e parë të integrimit evropian të Kosovës.

Osmani tha se qytetarët kosovarë janë më pro-evropianët në tërë rajonin, duke shtuar se shpresojnë në heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat, sipas saj, po i dëmtojnë qytetarët.

“Këtë verë po bëhen dy vite prej vendimit për vendosjen e masave. Çdo minutë më shumë me masat në fuqi është një minutë më shumë padrejtësie, por edhe një minutë më shumë larg jetësimit të ëndrrës evropiane të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim të etnisë dhe një vonesë më shumë e projektit të zgjerimit bazuar në merita. Po ashtu është koha përfundimtare që edhe të trajtohet aplikimi ynë për anëtarësim, i dorëzuar që në dhjetor 2022 dhe ky dokument të mos mbetet vetëm i arkivuar”, theksoi Osmani.

Më tej, Osmani përmendi edhe çështjen e pesë vendeve të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për këto vende, ajo tha se pret që ta trajtojnë me strategji anëtarësimin e Kosovës në BE.

Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, presidentja kosovare tha se shpresojnë në frymë të re në këtë proces me emisarin e ri të BE-së për dialogun. Ajo tha se njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi është ajo e cila duhet të ndodhë në përfundimin e këtij procesi.

Ajo po ashtu foli për vizitën në Moskë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, e cila sipas saj, është një akt i qartë politik që sfidon qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Evropës.

Nga ana tjetër, Costa, tha se e ardhmja evropiane e Kosovës është e lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me përkushtimin ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Plani i zgjerimit për Ballkanin Perëndimorë është një mundësi e madhe. Është vendimtare të vazhdoni të punoni për të mbajtur lartë ambiciet tuaja, agjendat e reformave në mënyrë që të përfitoni nga kjo. Mirëpres punën tuaj në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë. Siç e dini është vitale të bëni përparime në dialog dhe të normalizoni marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Kjo është në të mirë të rrugës evropiane”, theksoi Costa.

Costa u pyet edhe për masat e BE-së ndaj Kosovës, ku tha se ato janë të kushtëzuara me shtensionimin e situatës në veriun e vendit. Ai tha se shpresojnë që ngjarjet e fundit në veri, nuk përfaqësojnë prirje të re destabilizuese.

Po ashtu, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim në Prishtinë presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

SHARE