KRYEMINISTRI BRITANIK, KEIR STARMER, VIZITË NË SHQIPËRI

Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me presidentin Bajram Begaj dhe është pritur me një ceremoni nga kryeministri Edi Rama.

Ceremonia e pritjes është mbajtur në ambientet e jashtme të Kryeministrisë së Shqipërisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve të tjerë nga të dyja vendet.

Gjithashtu në fillim të vizitës, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti në takim kryeministrin britanik në selinë e Presidencës së Shqipërisë.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se presidenti Begaj vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të forcohen “nëpërmjet shpirtit të vërtetë të miqësisë, bashkëpunimit dhe partneritetit”.

Pas takimeve, Rama-Starmer, mbajtën një deklaratë të përbashkët, ku kryeministri i Shqipërisë theksoi se ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ai u shpreh se Starmer është i pari kryeministër në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-britanike që viziton Tiranën për një vizitë bilaterale.

“Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona edhe për shkak se asnjëherë më parë ne nuk kemi qenë kaq të lidhur në të paktën dy çështje të rëndësishme. Natyrisht në çështjen e Ukrainës si dy vende që ndajmë edhe anëtarësinë në NATO dhe në çështjen e betejës kundër emigracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale që e stimulojnë emigracionin e paligjshëm”, nënvizoi Rama.

Ai shtoi se në angazhimin kundër rrjeteve kriminale dhe emigracionit të paligjshëm kanë arsye të jenë shumë krenarë për punën që kanë bërë dhe sipas tij shifrat janë mbresëlënëse.

Rama theksoi se nuk do të ketë marrëveshje të njëjtë si me Italinë për qendër pritjeje emigrantësh me asnjë vend tjetër.

– “Shtetet evropiane duhet të qëndrojnë së bashku ndaj agresionit rus në kontinent”

Kryeministri britanik, Keir Starmer, u shpreh se njerëzit duan dhe meritojnë një sistem emigracioni që është i drejtë.

Ai shtoi se Shqipëria është një aleat i fortë i NATO-s dhe partner kyç “në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus” dhe kjo sipas tij është shumë e rëndësishme në një moment të tillë.

“Kam kënaqësinë që të shprehem këtu për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, një partneritet që do të thellojë bashkëpunimin tonë në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, do të pengojë dhe frenojë migracionin e parregullt, si dhe aktivitetin kriminal ndërkufitar”, tha Starmer.

Starmer u shpreh se është një moment ku shtetet evropiane duhet të qëndrojnë së bashku “ndaj agresionit rus në kontinent”, duke shtuar se “po përçojmë një mesazh shumë të qartë: që Evropa është e bashkuar”.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë dhe negociatat e paqes në Stamboll, Starmer tha se “ajo çfarë ka ndodhur sot është një provë e mëtejshme se është Putin që po i tërheq gjërat zvarrë dhe është Putini që po shkakton vonesa për një armëpushim”.

Ndërkohë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkua sot u nënshkrua Deklarata e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit dypalësh mbi prioritetet e përbashkëta dhe Deklarata e qëllimit në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial.

SHARE