MË 23 MAJ, OKB-ja VOTON PËR REZOLUTËN PËR SREBRENICËN

Draft-rezoluta e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë do të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 maj, u tha në ueb-faqen e këtij institucioni.

Rezoluta e propozuar mëton të shpallë 11 korrikun “Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

Rezoluta u referohet fakteve të përcaktuara nga aktgjykimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ashtu si edhe të gjykatave vendase.

OKB-ja, siç thuhet në tekstin e rezolutës, “dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet, përfshirë përmes sistemeve arsimore, duke zhvilluar programe ët përshtatshme, por po ashtu si shenjë të kujtesës, në mënyrë që të parandalohet mohimi dhe shtrembërimi i fakteve, dhe kryerja e gjenocidit në të ardhmen”.

Sipas rezolutës së propozuar, OKB-ja “dënon pa rezerva veprimet që madhërojnë ata që janë dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë edhe përgjegjësit për gjenocidin në Srebrenicë”.

Në tekst po ashtu theksohet rëndësia e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të mbetjeve mortore të viktimave të gjenocidit në Srebrenicës, në mënyrë që ata të varrosen në mënyrë të dinjitetshme, dhe bëhen thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale për kryesit e gjenocidit në Srebrenicë, të cilët ende nuk janë përballur me drejtësinë.

Rezoluta u bën thirrje “të gjitha shtetet që të respektojnë obligimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe të drejtën ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke respektuar vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë [GJND]”.

SHARE