Siguria energjetike është e një rëndësie kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të Malit të Zi dhe rajonit, u vlerësua në takimet e ministrit të Financave Aleksandar Damjanoviq në Uashington, ku u diskutuan disa projekte energjetike me theks në ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm (LNG).
Gjatë një vizite pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Damjanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij u takuan me zëvendësministrin e Energjisë, Brad Crabtree, i cili është përgjegjës për lëndët djegëse fosile dhe menaxhimin e hidrokarbureve.
Damjanoviq diskutoi për intensifikimin e bashkëpunimit midis Malit të Zi dhe SHBA-së në fushën e energjisë dhe krijimin e kushteve për përfshirje shumë më të madhe të kompanive amerikane në tregun malazez.
Në kuadër të energjisë, Damjanoviq ka biseduar edhe me drejtorin e marrëdhënieve ndërkombëtare të kompanisë CHENIERE, Alex Whittington, furnizuesi më i madh i gazit të lëngshëm në Evropë dhe i dyti në botë.
“Në takim u bisedua se si Mali i Zi mund të jetë pjesë e transformimit energjetik, përmes ndërtimit të terminalit të LNG-së, kështu që në atë drejtim u ranë dakord edhe hapa konkretë të bashkëpunimit të mundshëm mes Malit të Zi dhe kësaj kompanie të njohur botërore”, thuhet në deklaratë.
Ministri Damjanoviq është takuar edhe me zëvendësministrin e Tregtisë për Evropën dhe Euroazinë, David De Falca, me të cilin ka biseduar edhe për investimet e mundshme të kompanive amerikane në Mal të Zi, fokusi i të cilave, përveç energjisë, do të jetë transformimi digjital dhe transporti, në kuadër të të cilit, si prioritet, theksoi vazhdimin e ndërtimit të autostradës drejt Serbisë fqinje.