MALI I ZI VAZHDON TË MBËSHTESË INTEGRIMIN E KOSOVËS

Mali i Zi do të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Kosovës drejt integrimit në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale dhe mbi të gjitha në rrugën drejt BE-së, tha kryeministri Dritan Abazoviq në takimin me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot në Prishtinë.

Ai theksoi se Mali i Zi dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Kosovën në fushën e turizmit, ekonomisë dhe energjetikës.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta për fondet e BE-së të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e ekonomisë, turizmit, shëndetësisë dhe kulturës.

U vu në dukje rëndësia e një lidhjeje më të mirë të infrastrukturës rrugore mes dy vendeve, njoftoi zyra e Kryeministrit.

Në delegacionin e Malit të Zi të kryesuar nga kryeministri Dritan Abazoviq janë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Goran Gjuroviq, ministri i Administratës Publike Marash Dukaj, ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Fatmir Gjeka, kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari, kryetar i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj dhe Zv. Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Malit të Zi Ilir Harasani.

Sipas agjendës, kryeministri i Malit të Zi është takuar me zëvëndëskryeministren e Kosovës, Emilija Rexhepi, e ngarkuar me çështje të pakicave dhe drejtat e njeriut.

“Nuk duhet të harrojmë kurrë mesazhet e pajtimit. Ne përhapim dashuri dhe miqësi, kështu do të ndihemi krenarë për identitetin tonë. Së bashku me nënkryetaren e respektuar të Qeverisë së RKS-së #EmilijaRexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ministrat nga komunitetet joshumicë, diskutuam për temën e të drejtave të pakicave dhe u pajtuam që fokusi i përgjithshëm i politikave rajonale duhet të jenë largpamëse,” shkruan Abazoviq mbas takimit.

Në këtë takim, ishin prezent edhe përfaqësues të partive politike si të malazezëve, boshnjakëve, serbëve, shqiptarëve, turqve, romëve, egjiptianëve dhe ashkalive – të gjithë së bashku për një Ballkan Perëndimor të prosperuar në Bashkimin Evropian.

Më herët, kryeministri Abazoviq ka takuar liderët e opozitës në Kosovë, ku është theksuar vëmendja e veçantë që Mali i Zi ka ndaj zgjidhjes së çështjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

SHARE