SULMOHET ME GRANATA E KALLASHNIKOV POLICIA E KOSOVËS, NË VERI “SHPËRTHEJNË” TENSIONET

Zyrtarë të policisë së Kosovës janë sulmuar me kallashnikovë e granata dore mëngjesin e sotëm, një incident ky që rikthen hijen e tensioneve në një zonë të vendit të prirur drejt tyre. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pohoi në një konferencë për shtyp se ky është sulmi i katërt gjatë tre ditëve te fundit. Ai tha se efekitvët janë sulmuar në kohën kur po ndërronin turnin. “Në veri rreth orës 7 e 20 ka ndodh një sulm ndaj Policisë së Kosovës, punonjësit e së cilës po shkonin për të kryer ndërrimin ndërrrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK47 si një akt terrorist ka qenë i qëllimshëm dhe shënjestronte zyrtarët policorë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai. Mendohet se janë grupe të ndryshme ato që kanë ndërmarrë gjatë këtyre tre ditëve katër sulme në atë zonë. Goditja e parë ishte me thumba metalikë në rrugën nacionale, në një kohë përafërisht të ngjashme me atë të sulmit të sotëm, që synonte pengimin e punës së Policisë së Kosovës. Sulmi i dytë ishte me gurë, i treti me armë zjarr ndaj dy makinave të policisë, ndërsa në këtë të sotmin janë përdorur edhe kallashkinovë e granata. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”. Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposavici, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.

SHARE