SERBIA PARALAJMËRON EKSPORTE TË GRURIT NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Sasi të grurit dhe misrit do të eksportohen në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, paralajmëroi të martën Ministria e Bujqësisë e Serbisë, përkundër ndalesës së vendosur ditë më parë.Njoftimi u bë pas një takimi që zhvilluan në Beograd ministri i Bujqësisë i Serbisë, Branisllav Nedimoviq, dhe ministrja e Bujqësisë e Shqipërisë, Frida Krifca.Në komunikatën për media thuhet se vendet e nismës “Ballkani i Hapur”, si dhe vendet e tjera fqinje, “mund të llogarisin te Serbia si një partner i besueshëm, në kohën e sfidave të mëdha në sektorin ushqimor”. Përfaqësuesit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që përbëjnë nismën “Ballkani i Hapur”, kanë planifikuar të mbajnë një takim të ri në mes të marsit, por e kanë shtyrë atë për në maj, për shkak të, siç është thënë, luftës në Ukrainë. Një ditë më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do të lejojë eksportin e grurit të kontraktuar në Shqipëri sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shtoi se e njëjta gjë do të vlejë për çdo vend të rajonit. “Serbia ka mjaft, e kjo do të thotë se ka mjaft edhe për vendet e rajonit”, tha Vuçiq.

SHARE