Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka uruar Malin e Zi për progresin e madh të arritur në fushën e integrimeve evropiane gjatë 100 ditëve të para të Qeverisë.
Gjatë takimit me kryeministrin Millojko Spajiq në Bruksel, Von der Leyen theksoi se me bashkëpunimin e shkëlqyer të Qeverisë dhe Kuvendit janë arritur rezultate të mëdha.
“U takuam në Podgoricë, në ditën e parë të qeverisjes së re. Tani, 100 ditë më vonë, është e mrekullueshme të shohësh Malin e Zi të fokusuar plotësisht në qëllimin e tij të pranimit, duke bërë përparim të mirë,” tha von der Leyen.
Kryetarja e Komisionit Evropian theksoi se emërimet në drejtësi dhe reformat e tjera të shumta janë një tregues real se Mali i Zi dëshiron të bëjë hapin përmbyllës drejt një familjeje të madhe evropiane.
Në kuadër të rrugës së përshpejtuar drejt BE-së, u vlerësua se kapitujt 23 dhe 24 duhet të mbeten prioritet.
Kryeministri Spajiq kujtoi se gjatë takimit me von der Leyen, gjatë ditës së parë të punës së Qeverisë së 44-të, ai premtoi se shumica parlamentare do të jepte rezultate nga agjenda evropiane dhe shprehu kënaqësinë e tij që tashmë pas 100 ditësh mund të flasim për sukseset e mëdha.
Ai shtoi se ky është vetëm fillimi dhe se Mali i Zi do të vazhdojë të punojë në reforma.
U konstatua se stabiliteti politik, dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirës me opozitën janë rruga e duhur për të vazhduar përparimin e përshpejtuar në rrugën drejt BE-së.
Në këtë kontekst, është gjithashtu shumë e rëndësishme që kjo qasje çoi në depolarizimin e shoqërisë. U fol edhe për konvergjencën ekonomike të Malit të Zi, konkretisht për mënyrat për të arritur zhvillim të përshpejtuar ekonomik për të kapur hapin me vendet e BE-së në atë fushë.