Në seancë plenare të Parlamentit Evropian të martën është zhvilluar një debat për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shumica e deputetëve u angazhuan që Komisioni Evropian të për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, në mënyrë që të mos hyjë përsëri në një fazë të ngadalshme, siç ka qenë në pesë vjetët e mëparshme.
Në këtë debat mori pjesë edhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Ai tha se viti i kaluar ishte një prej viteve më të frytshme në procesin e zgjerimit.
Varhelyi kërkoi që edhe Parlamenti Evropian, për të mbajtur ritmin e duhur edhe këtë vit, duhet të japë sinjale pozitive për procesin e zgjerimit.
Ai, si dëshmi se BE-ja tash e ka prioritet vërtetë zgjerimit, përmendi edhe faktin se në katër takimet radhazi të Këshillit Evropian, zgjerimi ishte temë e diskutimit.
Varhelyi gjatë debatit është pyetur edhe për vendet e rajonit veç e veç. Një prej pyetjeve ishte edhe për “dosjen e Kosovës”, apo më saktësisht për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Të gjithë e dimë se cili është qëndrimi ligjor për statusin e Kosovës. Pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe kjo ndikon në qasjen tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe tash, Presidenca suedeze është duke shqyrtuar opsionet. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të kryejmë punën tonë, e kjo është të përgatisim mendimin për status kandidati, por vendimi nuk na takon neve, por Këshillit”, u përgjigj ai.
Komisionari evropian u pyet edhe për atë që është cilësuar si “dështim i Kosovës” që të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Do të ishte më së miri të përgjigjem duke cituar konkluzat e Këshillit Evropian nga java e kaluar. Dhe aty u bë qartë se cilat janë kushtet për përparim në rrugën evropiane”, tha ai duke cituar pjesën e cila fton direkt që pa kushte të zbatohen të gjitha obligimet nga e kaluara, në veçanti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Rruga evropiane e Kosovës, sikurse edhe ajo e Serbisë, shkon përmes dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve”, shtoi ai.