Foto: Komuna e Tuzit
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Fadil Kajoshaj, priti në një takim investitorë nga diaspora dhe Malësia, përfaqësues institucionalë, si dhe zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë konkrete për të mbështetur bujqit lokalë, krijimin e një tregu të qëndrueshëm për prodhimet e tyre, hapjen e vendeve të reja të punës dhe fuqizimin afatgjatë të ekonomisë lokale.
Fokus i veçantë ishte projekti për ndërtimin e një fabrike për konservimin dhe përpunimin e perimeve dhe frutave në Malësi, që konsiderohet një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik.
Interesimi i treguar nga diaspora për këtë projekt konsiderohet një bazë e fortë për realizimin e tij me sukses. Komuna e Tuzit mbetet e hapur për çdo investitor që sjell përfitime të qëndrueshme për rajonin.









