Foto: Klan Kosova
Vizita e Komisioneres së Zgjerimit Marta Kos në Mal të Zi është vizita e saj e parë në Ballkanin Perëndimor që nga marrja e detyrës dhe “konfirmon angazhimin e shtuar të BE-së në rajon dhe vendosmërinë e saj për të përshpejtuar ritmin e procesit të pranimit”, njoftoi Komisioni Evropian (KE).
Komisionerja Kos gjatë vizitës së saj do të takohet me presidentin e Malit të Zi Jakov Millatoviq, kryeministrin Millojko Spajiq dhe kryeparlamentarin Andrija Mandiq.
Gjatë vizitës, Kos do të mbajë një fjalim në Kuvend dhe do të takohet me deputetë, përfshirë edhe deputetë të opozitës.
“Me këtë vizitë, Komisionerja shpreh mirënjohjen e saj për hapat e mëdhenj të bërë nga Mali i Zi, i cili është vendi më i avancuar në negociatat e anëtarësimit. Ajo sjell gjithashtu një mesazh inkurajimi për Malin e Zi për të qëndruar në këtë rrugë dhe për të përshpejtuar punën e saj, sepse zgjerimi është një proces i bazuar në merita,” thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Vizita përfshin një turne të projekteve të financuara nga BE-ja në terren, takime me shoqërinë civile dhe autoritetet lokale dhe rajonale në Tivar, si dhe një vizitë në qytetin e Cetinës.
“Pas sulmit të tmerrshëm në Cetinë ku humbën jetën 13 persona, Komisionerja do të shprehë ngushëllimet e saj në emër të Komisionit”, njoftoi KE.
Në orën 16:00 është planifikuar një konferencë për media me kryeministrin e Malit të Zi, ndërsa në orën 17:30 para deputetëve do të drejtohet komisionerja Kos.