Foto: Instituti i Shëndetit Publik / Institut za javno zdravlje GUSHT 2024
Në Institutin e Shëndetit Publik është raportuar vdekja e parë nga infektimi me virusin e gripit.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, bëhet fjalë për një person nga Bijello Pole, 72 vjeç, i cili nuk ishte vaksinuar kundër gripit sezonal.
“Gjatë periudhës raportuese (java e dytë kalendarike e vitit 2025), në laboratorin e Qendrës për Mikrobiologji Mjekësore të ISHP janë analizuar 48 mostra për praninë e virusit të influencës me anë të diagnostikimit molekular (PCR), nga të cilat 22 ishin pozitive,“ thuhet në njoftim.
Që nga fillimi i mbikëqyrjes sezonale të gripit, përkatësisht më 30 shtator dhe duke përfunduar më 12 janar, gjithsej 386 mostra janë analizuar për praninë e virusit të gripit duke përdorur diagnostikimin PCR.
“Infeksioni është konfirmuar në 43 persona. Infektimi me virusin e gripit të tipit A është konfirmuar në 40 persona, ndërsa infeksionet me virusin e gripit të tipit B janë regjistruar në tre persona”, thuhet në njoftim.
Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi bën me dije se menjëherë pas konstatimit të rritjes së aktivitetit të gripit në fund të dhjetorit 2024, i kanë dërguar një letër të gjitha institucioneve shëndetësore për të forcuar kontrollin e zbatimit të masave për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve respiratore, duke përfshirë marrjen në konsideratë të kufizimeve në vizitat e pacientëve në përputhje me situatën epidemiologjike dhe në konsultim me shërbimin kompetent epidemiologjik.