Foto: dukagjini.com
Takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, i planifikuar të mbahej të mërkurën në Bruksel, dështoi të mbahej pasi që delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë, në shenjë proteste pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.
I dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, tha se takimi i së mërkurës i Komisionit të përbashkët për të pagjeturit duhej të mbahej në nivel zëvendësish, por dështoi për shkak se pala serbe njoftoi se nuk do të merrte pjesë në takim për shkak të zhvillimeve në Kosovë.
Ai konfirmoi se u takua me të dyja palët në takime veç e veç dhe se pala kosovare i paraqiti para tij prioritetet e saj.
Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, reagoi në llogarinë e tij në Facebook pas dështimit të takimit, duke e quajtur arsyetimin e delegacionit serb “banal” dhe “të dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”.
“Kjo demonstron për të disatën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëhërë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me çështjen e personave të zhdukur”, shkroi Hoti.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha më herët se “e ka braktisur atë takim”, për shkak të ndodhive në Kosovë.
“Kurti nuk do dialog, por dhunë”, u tha ai gazetarëve në Bruksel.
I pyetur nëse u mbajt takimi për të pagjeturit, Petkoviq tha: “Natyrisht që jo. Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme… por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm”.
“Besoj se Lajçaku ka bërë gjithçka që ka mundur, por mund të ishte bërë edhe më shumë dhe të kishte më shumë mirëkuptim për popullin serb në Kosovë, sepse për një gjë të tillë kemi paralajmëruar gjatë gjithë kohës”, tha Petkoviq.