Foto: Ekonomia Online
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.
Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës, në anën jugore të lumit Ibër.
Në një reagim, Bashkimi Evropian tha se veprimet e Kosovës përmbylljen e strukturave të mbështetura nga Serbia – në një kohë fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – janë në kundërshtim me detyrimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit.
Ambasada amerikane në Prishtinë tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e institucioneve të drejtuara nga Serbia “ndikon drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet tjera – dhe mund t’i minojë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.
“Këto veprime, në kundërshtim me këshillat tona më të mira, e dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë qytetarët e saj”, sipas një zëdhënës të Ambasadës amerikane në Kosovë.
Ndërkohë, BE-ja e përsëriti se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia “parashihet të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.