Prodhimi i energjisë elektrike nga dielli duhet të jetë prioritet i sektorit energjetik të Malit të Zi, tha drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare (OJQ) Green Home, Azra Vukoviq.
Ajo tha se në dritën e informacioneve për problemet në kompaninë „Solar“, të cilat janë prezantuar para opinionit ditët e kaluara, shpreh shqetësim serioz për zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme në Mal të Zi dhe mbi të gjitha nga energjia e diellit.
“Është një fakt shkatërrues se përkundër potencialit të madh që ka Mali i Zi për prodhimin e energjisë elektrike nga energjia diellore, pjesa e prodhimit nga ky burim është vetëm rreth 1 për qind”, ka thënë Vukoviq.
Ajo tha se duke mos e shfrytëzuar atë potencial, zgjatet varësia nga qymyri dhe funksionimi i Termocentralit të Plevlës, dhe po vazhdon të kontribuojë në ndotjen e mëtejshme të ajrit, por edhe ngadalëson procesin e përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara në Agjenden e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si dhe synimet e tjera të Bashkimit Evropian (BE) në atë fushë.
“Shteti i Malit të Zi duhet të gjejë një mënyrë të thjeshtë dhe efektive për t’u ofruar qytetarëve lehtësira për instalimin e paneleve diellore në çatitë e shtëpive dhe ndërtesave të biznesit, të cilat nuk do t’i nënshtrohen interesave partiake apo personale të asnjë grupi apo individi, por ekskluzivisht interesat e qytetarëve dhe natyrën e këtij vendi”, ka shtuar Vukoviq.