Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ndodhet në Davos, ku sot në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror u takua me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Azinë, James O’Brien, i cili përshëndeti rezultatet e Qeverisë së 44-të dhe tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht përpjekjet e Malit të Zi në planin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Spajiq, siç thuhet në njoftim, e njohu bashkëbiseduesin me planet e Qeverisë për zhvillimin e mëtejmë të Malit të Zi me theks të veçantë në energjetikë dhe infrastrukturë.
Ai theksoi se Qeveria do të përpiqet të krijojë kushte për fillimin e projekteve kapitale në këto zona në një periudhë të shkurtër kohore, të cilat do të kenë efekte në forcimin e ekonomisë dhe standardit të përgjithshëm të qytetarëve.
“Ne kemi hyrë në politikë për të ndryshuar gjërat për mirë. Duam që Mali i Zi të zhvillohet dhe të shohim rezultatet e kësaj pune sa më shpejt. Në këtë drejtim kemi nevojë për mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së”, tha kryeministri.
O’Brien theksoi se rezultatet shumë të mira të Qeverisë në aspektin e stabilitetit të brendshëm ndikojnë edhe në intensifikimin e dukshëm të integrimeve evropiane.
“Organizimi i regjistrimit të popullsisë është një shembull i jashtëzakonshëm i maturimit politik dhe ekzistencës së kapaciteteve demokratike – është një model se si t’i qasemi një numri çështjesh të rëndësishme,” tha O’Brien.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për situatën në rajon dhe vlerësuan se Mali i Zi, si vend anëtar i NATO-s dhe vend prijës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mbetet një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe se lidhja infrastrukturore është strategjikisht e rëndësishme për perspektivën e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor.