KONATAR: SPAJIQ TË RRISË PA VONESA PAGAT NË ARSIM, ADMINISTRATË, DREJTËSI DHE SHËNDETËSI

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq dhe qeveria e tij kanë obligim që të rrisin pagat e punonjësve në arsim, administratë, drejtësi dhe shëndetësi dhe nuk mund të ikin më prej saj, tha Millosh Konatar, anëtar i Lëvizjes Qytetare URA.

“Nuk është fjala për vullnetin e Millojko Spajiqit, por për përmbushjen e detyrimit për rritjen e pagës së punonjësve, të cilën e ka mundësuar Qeveria e Dritan Abazoviq me nënshkrimin e Marrëveshjes së Degës Kolektive”, ka shtuar ai.

Konatar rikujtoi se në këtë mënyrë Qeveria e 43-të rriti pagat e punonjësve në arsim, administratë dhe drejtësi nga 20 deri në 30 për qind dhe se kontratat parashikojnë qartë një rritje në vitin 2024 dhe 2025 me nga 10 për qind.

“Nëse Spajiq dhe qeveria vazhdojnë të mashtrojnë punonjësit, i detyrojnë ata të dalin në grevë dhe të kërkojnë përsëri të drejtat e tyre në rrugë, kjo nuk do të jetë vetëm disfata e Spajiqit, por disfatë e shtetit të Malit të Zi, dhe kjo është diçka që nuk duhet ta lejojmë”, përfundoi Konatar.

SHARE