EURODEPUTETJA VON CRAMON KËRKON PËRPARIM NË DIALOGUN KOSOVË-SERBI PARA ZGJEDHJEVE NË BE

Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, ka mbajtur konferencë për media pas takimeve të saj me krerë të institucioneve kosovare, liderë të partive opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Von Cramon në konferencë për media uroi kosovarët për liberalizimin e vizave, duke u shprehur se me liderët kosovarë ka biseduar këto ditë për luftën kundër korrupsionit, dialogun Kosovë-Serbi, zgjedhjet në veri dhe çështje të tjera.

Eurodeputetja tha se Kosova duhet të bëjë progres me procesin e dialogut me Serbinë dhe hapat në integrimin evropian gjatë gjysmës së parë të vitit, për shkak se në mes të vitit 2024 BE-ja do të jetë e angazhuar me zgjedhjet e reja.

“Çfarë është brengosëse për mua është që në pjesën e dytë të vitit 2024 do të kemi Presidencën e Bashkimit Evropian nga Viktor Orban të Hungarisë dhe Parlamentin e ri ku nuk e kemi një fotografi të qartë ose shumicën e qartë të përkrahjes sa i përket Kosovës në parlament. Pra unë si shoqe e mirë e Kosovës dëshiroj të shoh progres brenda këtyre muajve para se të shkojmë në kampanja të ndryshme të zgjedhjeve sepse Brukseli do të mbyllet dhe të gjithë do të jenë të zënë sa i përket zgjedhjeve”, theksoi Cramon.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Von Cramon tha se është shënuar progres, ndërsa theksoi se duhen hapa më të shpejtë, për shkak edhe të agjendës së zënë të BE-së me dy luftërat, atë në Gaza dhe në Ukrainë.

Ajo vlerësoi se është bërë gabim në mos nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike në Bruksel dhe Marrëveshjes së Ohrit gjatë vitit 2023, por shtoi se e kupton Qeverinë e Kosovës që paraprakisht kërkon njohjen de-fakto të Serbisë si kusht për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk është diçka e re. Ideja për të nuk ka ardhur dje, është 13 vjet e vjetër. Kosova duhet të vijë me një propozim për të dhe mendoj se kjo ishte komunikuar qartë gjatë muajve dhe viteve të fundit”, theksoi eurodeputetja.

SHARE