AEROPORTET GATI PËR SEZONIN VEROR, PRESIM REZULTATE REKORD

Aeroportet e Malit të Zi janë gati për sezonin e ardhshëm turistik veror, tha ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare, Fillip Radulloviq.

„Ju siguroj se do t’i përballojmë të gjitha sfidat dhe se këtë vit do t’i shërbejmë një numër rekord pasagjerësh në aeroportin e Podgoricës. Që kur kam marrë postin e ministrit, i kam kushtuar shumë rëndësi aviacionit sepse besoj se ky sektor është jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke qenë se Mali i Zi njihet si një destinacion tërheqës turistik dhe se një numër i madh turistësh përdorin transportin ajror për të ardhur në vendin tonë,“ tha Radulloviq.

Ministri Radulloviq dhe drejtori i Aeroportit të Malit të Zi Vlladan Drashkoviq shkëmbyen mendime lidhur me hapjen e aeroportit, veçanërisht gjatë sezonit turistik veror.

„Unë jam i mendimit që orari i punës së Aeroportit duhet të zgjatet, sepse në këtë mënyrë do të mundësonim një numër më të madh fluturimesh dhe kështu një numër më i madh turistësh do ta vizitonin Malin e Zi. Synimi ynë është që aeroporti në Podgoricë të jetë i hapur si aeroportet më të mëdha në rajon, për 20 apo edhe 24 orë. Ne kemi hasur në disa sfida që duhet t’i zgjidhim në mënyrë që kjo ide të realizohet,“ tha Radulloviq.

Drejtori Drashkoviq, ka theksuar se është më se i kënaqur nga takimi me ministrin dhe kolegët e tij, duke thënë se aeroportet do të jenë më të gatshëm operacionalisht se vitin e kaluar për të përballuar sezonin e ardhshëm veror.

SHARE