GJELOSHAJ: 15 JANARI MBETET SI NJË NGA DITËT MË TË ZEZA TË HISTORISË MODERNE SHQIPTARE DHE EVROPIANE

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, përmes një postimi në “Facebook” kujtojë me dhimbje dhe pietet viktimat e Masakrës së Reçakut. “24 vite më parë, forcat serbe ekzekutuan në mënyrë barbare 45 civilë të pafajshëm, ku i vetmi “faj” i tyre ishte se ishin shqiptarë! 15 janari mbetet si një nga ditët më të zeza të historisë moderne shqiptare dhe evropiane, ku përmes gjenocidit që u bë ndaj shqiptarëve nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit, duke masakruar 45 shpirtra të pafajshëm, botës iu treguan synimet gjenocidale të Millosheviqit dhe krimet e tij kundër njerëzimit në Kosovë,” shkruan Gjeloshaj. Gjeloshaj më tej shtoi se do të jenë gjithmonë mirënjohës aleatëve tanë evropianë dhe euroatlantikë dhe veçanërisht ambasadorit amerikan William Walker, i cili ishte zëri i tyre në arenën ndërkombëtare dhe që ishte i pari që denoncoi këto krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve. “Reçaku mbetet si dëshmi e gjallë e gjenocidit të Miloosheviqit në Kosovë. Ne kurrë nuk do ta harrojmë Masakrën e Reçakut! Lavdi të rënëve për liri!,” thuhet në postimin e Gjeloshaj.

SHARE