TË PAKTËN 4 TË VDEKUR NGA MBYTJA E ANIJES NË KANALIN ANGLEZ

Të paktën 4 persona janë mbytur nga mbytja e një anije me emigrantë në Britani. Varka e vogël që transportonte emigrantë hasi vështirësi orët e para të kësaj të mërkure në Kanalin Anglez, pranë Kentit. Sipas Sky News, deri më tani janë shpëtuar 43 persona. Menjëherë pas alarmit varkat e shpëtimit, ekipet e shpëtimit të rojes bregdetare, ashtu sikurse edhe një ambulancë ajrore shkuan për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit. Një anije peshkimi ishte gjithashtu në zonë për të ndihmuar. Në operacion u përfshinë edhe helikopterë të Rojes Bregdetare nga Lydd dhe Lee on Solent dhe një nga Marina Franceze. Shërbimi i Ambulancës në Bregun Juglindor tha se u njoftua për ngjarjen rreth orës 03:40 dhe se kishte dërguar ekuipazhe në Dover të Kentit, për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit. Momentalisht nuk dihet kombësia e emigrantëve që ndodheshin në varkë. Ngjarja vjen në një kohë kur numri i emigrantëve që kanë kaluar Kanalin në 2022 ka shënuar rekord në Britani. Vetëm një ditë më parë, qeveria atje njoftoi një seri të reja masash me qëllim uljen e numrit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë nëpërmjet kanalit. Më shumë se 40 mijë persona përllogaritet të kenë kaluar nëpërmjet kësaj rrugë me varka të vogla në 2022. Ky është numri më i madh i regjistruar që prej 2018-s, kur autoritetet nisën të mblidhnin të dhënat. Pjesa më e madhe e atyre që shkojnë në Britani me anë të kësaj rruge, kërkojnë azil. Në 9 muajt e parë të këtij viti, gjysma e atyre që shkuan në Britani me varka të vogla ishin nga dy kombësi, 35 përqind shqiptarë dhe 15 përqind afganë.

SHARE