DUKAJ: SË BASHKU PËR PËRMIRËSIMIN E SIGURISË KIBERNETIKE

Përfaqësuesit e Universitetit të Malit të Zi do të marrin pjesë në projekte dhe programe të iniciuara nga Ministria e Administratës Publike me qëllim të përmirësimit të burimeve për transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike në nivel shtetëror. Kështu është bërë e ditur në takimin e ministrit të Administratës Publike Marash Dukaj me rektorin e UMZ, Vladimir Bozhoviq. Në takim u evidentua suksesi në realizimin e aktiviteteve nga Strategjia e Transformimit Digjital, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me akreditimin e programeve të studimit për sigurinë kibernetike, si dhe aktivitete të tjera që janë realizuar dhe po planifikohen me qëllim të përmirësimit të kompetencave profesionale në fushën e aftësive digjitale. Thuhet se Dukaj dhe Bozhoviq kanë biseduar edhe për Marrëveshjen për bashkëpunim për realizimin e programeve dhe projekteve arsimore në fushën e IT-së. Dukaj i njoftoi përfaqësuesit e Universitetit se Ministria e Administratës Publike, në buxhetin e vitit 2023, ka paraparë 100 mijë euro mbështetje për zhvillimin e aftësive të IT-së të studentëve në Universitetin e Malit të Zi, përmes një programi për të mbështetur Institutin e sapothemeluar për programim.

SHARE