Gjatë qëndrimit në Baku, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, pati një takim domethënës me Presidentin e Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, gjatë të cilit u shpreh përkushtimi i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik.
Millatoviq e uroi presidentin Aliyev për organizimin e suksesshëm të COP 29 dhe e falënderoi për ftesën për të marrë pjesë në emër të Malit të Zi në Samitin e këtij viti, i cili merret me sfidën globale të ndryshimeve klimatike.
“Mali i Zi dhe Azerbajxhani janë vende mike. Ekziston një potencial i madh për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e energjisë, ekonomisë dhe turizmit. Pas një pauze të shkurtër është momenti i duhur për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Takimi i sotëm është një konfirmim i përkushtimit për zhvillimin e një partneriteti afatgjatë dhe të qëndrueshëm që është në interesin më të mirë të qytetarëve të Malit të Zi dhe Azerbajxhanit, i cili lidh miqësinë tradicionale”, tha Millatoviq.
Ai po ashtu theksoi rëndësinë e realizimit të projekteve të reja investive si “Portonovi”, të cilat kontribuojnë në pozicionimin e Malit të Zi si destinacion prestigjioz turistik.
“Ne kemi nevojë për ide të reja dhe investime dhe projekte të reja që do ta forcojnë dhe zgjerojnë më tej bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve”, tha presidenti i Malit të Zi.
Aliyev theksoi se Malin e Zi e konsideron vend mik dhe theksoi interesimin për investime të reja dhe forcimin e bashkëpunimit në shumë fusha, të cilave duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë në periudhën e ardhshme.
Në këtë drejtim, u ra dakord që bisedimet të vazhdojnë edhe gjatë vizitës së radhës të presidentit Millatoviq në Baku, me qëllim konkretizimin e nismave të përbashkëta.
Në veçanti, u diskutua për gjetjen e modaliteteve më të mira për bashkëpunimin energjetik dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.
Në fund, u konstatua se marrëdhëniet e forta ndërmjet Malit të Zi dhe Azerbajxhanit janë një bazë e shkëlqyer për bashkëpunim të mëtejshëm dhe se takimi i sotëm mes dy presidentëve mund të jetë një pikë kthese në partneritetin, i cili është i një rëndësie të veçantë për të dyja palët.