Numri i njerëzve me diabet është dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit duke arritur në më shumë se 800 milionë në mbarë botën, sipas një studimi të fundit ndërkombëtar.
Analiza globale e botuar në revistën shkencore The Lancet zbuloi se normat e diabetit tek të rriturit u dyfishuan nga rreth 7%, në rreth 14%, mes 1990-ës dhe 2022-shit, me rritjen më të madhe të regjistruar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Studimi është analiza e parë globale e shkallës dhe trajtimit të diabetit në të gjitha vendet. Shkencëtarët në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë përdorën të dhëna nga më shumë se 140 milionë njerëz të moshës 18 vjeç e lart, nga më shumë se 1000 studime në vende të ndryshme.
Ata aplikuan mjete statistikore për të mundësuar krahasime të sakta të prevalencës dhe trajtimit midis vendeve dhe rajoneve.
Diabeti është një sëmundje kronike që shkaktohet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën që prodhon.
Diabeti i pakontrolluar mund të shkaktojë hiperglicemi, ose rritje të sheqerit në gjak, e cila me kalimin e kohës mund të shkaktojë dëme serioze në shumë nga sistemet e trupit, veçanërisht tyek nervat dhe enët e gjakut.
Studimi tregoi se më shumë se gjysma e rasteve globale të diabetit ishin të përqendruara në katër vende.
Më shumë se një e katërta e të prekurve nga diabeti jetojnë në Indi, 148 milionë në Kinë, 42 milionë në SHBA dhe 36 milionë në Pakistan.
Indonezia dhe Brazili kishin përkatësisht 25 dhe 22 milionë raste të tjera.