Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Sipas njoftimit nga Kabineti i Presidentit të Serbisë, Vuçiq theksoi se vendi i tij është “gjithmonë i gatshëm për dialog”, për respektimin e gjithçkaje që ka nënshkruar dhe rënë dakord, si dhe përsëriti se Beogradi qëndron për “depërshkallëzimin, paqen dhe stabilitetin, të cilat janë të domosdoshme për të siguruar mbijetesën” e serbëve në Kosovë.
“Presidenti Vuçiq e informoi edhe një herë përfaqësuesin special të BE-së në detaje për peshën e situatës me të cilën ballafaqohen serbët, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit, duke shprehur shpresën se procesi i mëtutjeshëm i dialogut do të çojë në rezultate”, thuhet në njoftim.
Vuçiq gjatë takimit të sotëm ka insistuar në formimin e asociacionit të komunave serbe, ndërsa janë diskutuar edhe tema të tjera të rëndësishme në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë.
Ndërkaq, emisari evropian Lajçak tha se në takim me zyrtarët serbë bisedoi për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimt të raporteve Kosovë-Serbi.
“Pas vizitës sime në Kosovë, po ashtu udhëtova për në Beograd për të përgatitur takimin e kësaj jave të kryenegociatorëve. Me presidentin [e Serbisë, Aleksandar Vuçiq] dhe me [drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe] Petar Petkoviq, diskutova për mënyrën përpara në dialog për hapat e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit”, shkroi Lajçak në X, që më herët njihej si Twitter.